BALLKANI

EULEX publikon raportin për Monitorimin e Drejtësisë në Kosovë

Shefi i EULEX-it, Wigemark tha se raporti vë në dukje edhe disa të arritura dhe rekomandime të dhëna për institucionet kosovare nga raportet e mëparshme

Agim Sulaj  | 24.11.2022 - Përdıtësım : 25.11.2022
EULEX publikon raportin për Monitorimin e Drejtësisë në Kosovë Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) ka prezantuar Raportin e tretë publik për Monitorimin e Drejtësisë, i cili e përfshin periudhën nëntor 2021 – shtator 2022, raporton Anadolu Agency (AA).

Në periudhën nëntor 2021 – shtator 2022, EULEX monitoroi 350 seanca gjyqësore, nga të cilat 91 apo 26 për qind, sipas këtij misioni, ishin joproduktive.

Raporti përfshin gjetje dhe rekomandime specifike për autoritetet kosovare lidhur me disa çështje sistematike dhe tematike, përfshirë anti-korrupsionin, ndjekjen penale të rasteve të terrorizmit, krimet kundër gazetarëve, krimet sipas të drejtës ndërkombëtare, dhunën në baza gjinore si dhe drejtësinë për të mitur.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark tha se raporti vë në dukje edhe disa të arritura dhe rekomandime të dhëna për institucionet kosovare nga raportet e mëparshme.

Wigmark tha se shpreson që raportin ta marrin të gjitha institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe të kontribuojë që të bëhet përparim në rrugën evropiane të Kosovës.

"Mbi të gjitha, ky raport identifikon zhvillime inkurajuese dhe misioni është i kënaqur që të paktën një pjesë e rekomandimeve në raportet e mëparshme janë duke u zbatuar. Për shembull, shkalla e seancave joproduktive, mes atyre të monitoruar nga misioni, ka rënë dhe disa raste të profilit të lartë të monitoruara janë ndjekur më aktivisht", theksoi Wigemark.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivelin e lartë të shtetit janë ndër shkaqet që më së shumti kanë ndikuar në stagnimin e arritjeve të një niveli më të zhvilluar të republikës.

Haxhiu tha se në mekanizmat ndërkombëtarë përgjithësisht kërkohet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos në nivelin më të lartë.

"Prandaj, nevojitet një punë e madhe nga policia, prokuroria dhe gjykatat sidomos në rastet e profilit të lartë, pra rastet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe ku të përfshirë janë edhe zyrtarët e lartë të shtetit", theksoi Haxhiu.

Ajo tha se Ministria e Drejtësisë tashmë ka nisur reformat në sistemin e drejtësisë i cili do të ketë detyrë për përmbylljen e reformës në drejtësi.

Misioni i përgjithshëm i EULEX-it në Kosovë është t'i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.